Ministri i Punëve të Brendshme deklaroi se, edhe pse nuk pritet që lufta të fillojë nesër, situata politike sugjeron se gjërat mund të shkojnë në atë drejtim.
Ejup Maqedonci shprehu shqetësimin e tij lidhur me qasjen agresive politike të Serbisë ndaj Kosovës dhe rritjen e kapaciteteve ushtarake, duke thënë se kjo është një shqetësim për të gjithë rajonin.
“Nuk është se lufta do të fillojë nesër. Por indikacionet politike nuk japin zgjidhje tjetër nëse vazhdohet me këto formate politike”.
“Mandati i KFOR-it është ruajtja e kufirit, por krahas kësaj ne po zhvillojmë ushtrinë e Kosovës me të gjitha kapacitetet dhe me të gjitha trajnimet e nevojshme dhe po përpiqemi për të qenë të gatshëm gjithmonë për të mbrojtur territorin e vendit tonë, pa cenuar territorin e asnjë vendi përreth dhe këtë do e bëjmë me çdo mjet e çdo kusht nëse paraqitet nevoja”.
“Synim duhet të jetë paqja, stabiliteti dhe integrimi në NATO. Shqetësues mbetet fakti që Serbia politikisht ka qasje hegjemoniste në raport me Republikën e Kosovës dhe ushtarakisht po rrit kapacitetet e saj. Kjo krijon pasiguri jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin,” tha Maqedonci.
Ministri Ejup Maqedonci theksoi se Kosova përballet me kërcënime të vazhdueshme nga Serbia.
Këto komente, Maqedonci i bëri gjatë një lidhjeje për Euronews Albania, ku tha se 3 nga 4 brigadat serbe janë shumë pranë kufirit me Kosovën.
Ai shtoi gjithashtu se janë 48 baza të Serbisë që ndodhen shumë pranë kufirit me Kosovën dhe përbëjnë kërcënim jo vetëm për vendin, por edhe për paqen dhe sigurinë në rajon.