Sunday, December 22, 2024

Kurti: Kemi ofruar mbështetjen më të lartë ndonjëherë për shqiptarët e Luginës

Shpërndaje

“Buxheti i vitit të ardhshëm përsëri do të jetë edhe buxhet për shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit me specializantët nga Medvegja, Bujanoci, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Sipas kreut të ekzekutivit kosovar mbështetja ndaj këtyre vendeve është “më e larta”, që është ofruar ndonjëherë.

“Këtë po e vazhdojmë nga viti në vit dhe po ia shtojmë edhe një milion, krahasuar me vitin aktual pra, nga dy në tre milionë për vitin 2024 dhe kjo mbështetje është më e larta ndonjëherë”.

Kurse, sipas ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia udhëzimet e Qeverisë, kanë për qëllim që të bëjnë maksimumin që specializantët nga trevat të mos jenë të diskriminuar.

“Do të ofrojmë maksimumin për edukimin e tyre me besim të plotë që do të dalin specialistë të jashtëzakonshëm të fushave të ndryshme dhe të kontribuojnë në vendet ku ata jetojnë”, ka thënë Vitia.

Ndërsa, kryeministri tha se emërimi i Ardita Sinanit si këshilltare, është bërë për të pasur komunikim të rregullt me përfaqësuesit politik shqiptarë në rajon.

“Po ashtu, në vitin 2023 u ndamë mjete buxhetore për Mbështetje të Këshillit Nacional Shqiptar për të avokuar në qendrat e mëdha vendimmarrëse për kombin tonë, derisa ndamë edhe një çerek milioni euro për t’i pajisur nxënësit shqiptarë të shkollave fillore në komunat Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc me tekste mësimore në gjuhën shqipe”.

Kurse, në Kosovë problem aktual vazhdon që të jetë ikja e mjekëve në kërkim të kushteve më të mira për punësim.

Problemi i ikjes së mjekëve nga Kosova, ka filluar që në vitin 2016 kur qeveria ndaloi së hapuri konkurset për specializantë.

Ndërsa, profesionistë shëndetësorë tashmë kanë deklaruar se për këtë dukuri duhet të ndërmerren masa urgjente, në mënyrë që të zvogëlohet numri i ikjes së mjekëve nga Kosova.

Planet qeveritare, sipas asaj që është prezantuar deri më tani, janë dhënë kryesisht si platforma të përgjithshme, ku nuk flitet për probleme specifike të shëndetësisë.

Dhe derisa qeveritarët ndërrohen, ikja e mjekëve të rinj mbanë ritmin e njëjtë.

/AlbanianPost

Të Tjera

Të Rekomanduara