Saturday, May 18, 2024

BE kërkon Reformë Zgjedhore gjithëpërfshirëse në Shqipëri

Shpërndaje

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato është takuar me komisionerin shtetëror të zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ku ka theksuar se me afrimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025 duhet dialog politik gjithëpërfshirës për të siguruar një marrëveshje të gjerë rreth Reformës Zgjedhore.

“Këtë e theksova në takimin tim të djeshëm me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi duke ndarë pikëpamjen e ODIHR-it se ndryshimet legjislative duhet të dakordësohen në konsultim me të gjithë aktorët e përfshirë. BE-ja do të vazhdojë të mbështesë #KQZ-në në përpjekjet e saj për organizimin e zgjedhjeve sipas standardeve të Bashkimit Evropian”, shkruan zyrtari në X – dikur Twitter.

Komisioni i Reformës Zgjedhore pritet të mblidhet javën e ardhshme më 6 shkurt në orën 12:00.

Sipas informacioneve paraprake seanca dëgjimore do të mbahet në sallën “Pjetër Arbnori” të kryesisë së Kuvendit.

Nëse do të ketë tentativa për ta bllokuar nga deputetët e opozitës atëherë do të kalojë online.

Seanca është caktuar të jetë me disa përfaqësues të Organizatave e Shoqërisë Civile që kanë fushë të përgjegjësisë së tyre çështjet zgjedhore.

Më herët ishte Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ai që ka apeluar partitë politike që të ulen në tryezën e diskutimeve dhe të miratojnë një Reformë Zgjedhore, duke qenë se ky është edhe një vendim i Gjykatës Kushtetuese, për të mundësuar votën e emigrantëve në zgjedhjet e radhës.

Sipas Celibashit, periudha ideale për t’i bërë këto ndryshime është një vit përpara mbajtjes së zgjedhjeve, që të lihet kohë në implementimin e ligjeve.

Diçka e tillë duket e pamundur në Shqipëri në kushtet aktuale.

Megjithatë, edhe në ekstreme të gjashtë muajve përpara zgjedhjeve, Komisioneri ka theksuar se do të ishte e mundur të bëhej diçka.

Por nëse ky kod i ri ngel, zgjedhjet sipas tij rrezikohet të ketë problematika dhe një impakt në aspektin teknik të zgjedhjeve në të ardhmen.

“Duket që faktori politik dhe institucioneve kanë pranuar nevojën për të bërë ndryshime në kodin zgjedhor, të paktën në disa aspekte të këtij kodi. Do ishte mirë që partitë politike, shumica qeverisëse dhe opozita të angazhohen për të i realizuar këto ndryshime sa më shpejt që të jetë e mundur. Ngelet në vlerësimin e partive politike për t’i adresuar çështjet që kemi evidentuar ne, që i konsiderojmë problematike, ose të nevojshme për t’u rikonsideruar”, vendosi piketat Celibashi.

Teksa, ai i qëndroi faktit se nëse boshllëqet ligjore nuk plotësohen sipas Kushtetutës nga Kuvendi, vota e emigrantëve sërish nuk do të mundësohet në Shqipëri.

Ai ka shtuar se nuk është përgjegjësi e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që t’i bëjë këto ndryshime, por e ligjvënësve.

Megjithatë, vendimi i Kushtetuesve është i qartë dhe gjykata më e lartë në vend ka kërkuar që boshllëku ligjor të plotësohet sa më parë.

Mbi votimin elektronik, për aspektin e implementimit të tij në gjithë territorin e republikës, Celibashi ka thënë se nuk është diçka e lehtë për t’u vënë në zbatim, pikë së pari për kostot e larta që mbart. Ndaj ai mund të kryhet vetëm gradualisht, duke shtuar numrin e qendrave të votimit, të cilat votojnë elektronikisht në vend.

Të Tjera

Të Rekomanduara