Monday, December 23, 2024

Banjska, kush e la të ikë nga Kosova kryeterroristin Radoiçiq?

Shpërndaje

Pyetja se kush i la të ikte nga Kosova sulmuesit serb, të udhëhequr nga kryeterroristi Milan Radoiçiq, pas sulmit në Banjskë ka zgjuar kureshtje të madhe ditët e fundit.

Shkak u bë një raport zyrtar, në të cilin u pretendua se misioni i KFOR-it u mor vesh me sulmuesit që të ikin nga kishin ardhur.

Një ditë pas, KFOR-i përmes një deklarate publike, të dielën ka mohuar të jetë përfshirë në negocimin e tërheqjes të sulmuesve të armatosur serb.

“Grupi Ndërkombëtar i Krizave së fundmi publikoi një raport të titulluar “Veriu i Kosovës: Pohimi i sovranitetit mes besnikërisë së ndarë”. Në rrëfimin e tij për dhunën që ndodhi në Banjska në shtator 2023, raporti thotë se: “Duke pasur frikë nga një gjakderdhje, KFOR-i negocioi tërheqjen e grupit [luftëtarëve serbë] në pyjet përreth, nga të cilat ata u zhdukën”. Kjo është e pasaktë. Në asnjë moment KFOR-i nuk ishte i përfshirë në negociatat e supozuara”, thuhet në një kumtesë për media të lëshuar nga misioni i KFOR-it.

Të njëjtit kërkojnë që autorët duhet të përballen me drejtësinë, duke theksuar koordinimin e tyre të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in për të vendosur sigurinë në atë zonë.

Raporti i ICG-së

Të shtunën (25 maj) në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, gjatë diskutimit në komisionin për mbrojtje e siguri në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s, u tha se misioni i KFOR u mor vesh me sulmuesit që të ikin nga kishin ardhur, përfshirë edhe nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, ndaj të cilit ekziston edhe një fletarrest ndërkombëtar i lëshuar nga INTERPOL-i.

“Zyrtarët e KFOR-it negociuan tërheqjen e pjesës tjetër të grupit në pyjet përreth, ku ata ishin zhdukur. (ICG, 2024). Autoritetet e Kosovës besojnë se potencialisht qindra sulmues të tjerë po fshiheshin në pyjet mes Banjskës dhe kufirit serb dhe ata zbuluan një arkivë të madhe armësh të gatshme për të shkaktuar dëme dhe viktima. Kjo përfshinte raketat anti-tank, granata hedhës, minat anti-tanke dhe 24 makinat (njëra e blinduar) (ICG, 2024)”, thuhet në raportin e NATO-s.

Për këtë pjesë, ish-sekretari britanik i mbrojtjes, Lordi Mark Lankaster që është raportues për Ballkanin Perëndimor, ka cituar një raport të hartuar nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, veçse jo edhe në paragrafët ku e shpjegojnë në detaje rolin e të shumë kërkuarit serb Milan Radoiçiq në sulmin terrorist të Banjskës dhe të shpallur të padëshiruar në Amerikë e në Britani të Madhe.

Thirrja e Kurtit për dorëzim

Pas një mbedhjeje të Këshillit të Sigurisë së Kosovës ( 24 shtator 2023) kryeministri Albin Kurti  ka kërkuar që sulmuesit të dorëzohen te organet e sigurisë.

Ai ka thënë se në fshatin Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë një polic, gjenden së paku 30 persona të armatosur rëndë.

“Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë a policë, që ndodhen nën rrethimin e forcave tona policore dhe që i ftoj të dorëzohen te organet tona të sigurisë. Ata janë që po i sulmojnë policinë tonë, edhe pasi e kanë vrarë Afrim Bunjakun e e kanë plagosur Alban Rashitin”, ka thënë ai.

Duke demonstruar me fotografi, Kurti ka thënë se njerëz të armatosur rëndë me pajisje ushtarake, me maska, janë rrotull Manastirit në Banjskë të Zveçanit.

“Organet e sigurisë dhe prokuroria do të zhvillojnë hetimet për t’i kuptuar këto uniforma të cilat siç shihet përveç xhipave, kanë edhe një autoblindë aty. E vëreni se ka një gjoksore që është tipike për uniformën dhe pajisjet në vendluftime. Është paraqitur një formacion i organizuar që ka ardhur të luftojë në Kosovë”, ishte shprehur ai.

Deklaratat e Sveçlës dhe Hoxhës

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, dolën në një konferencë për media (1 tetor 2023) për të dëshmuar me video se grupi i armatosur terrorist ishte përgatitur mirë për sulmin dhe se përmes tyre Serbia planifikonte aneksimin e veriut të Kosovës.

Të pyetur se si autorët mundën të iknin, Sveçla dhe Hoxha patën përgjigje, por mohuan se me ta kishte negocim për këtë.

“Abolutisht nuk kishte kurrëfarë negocimi”, tha Sveçla.

“Tërheqja e atyre është bërë edhe për shkak të terrenit jashtëzakonisht të rëndë”, tha ai, duke shtuar se në atë zonë ka “male të larta me shumë vegjetacion” dhe se “kjo ua ka mundësuar tërheqjen”. “Edhe përgatitja e tyre ushtarake…”, tha ministri.

Drejtori i Policisë, tha se për tërheqjen e tyre nuk kishte “asnjë komunikim”.

“Asnjë komunikim dhe asnjë tentativë s’ka pasë për t’i krijuar dikujt korridor me u tërheq”, tha Hoxha.

INTERPOL-i në kërkim të Radoiçiqit

Organizata ndërkombëtare policore INTERPOL ka lëshuar një urdhër arresti për ish-nënkryetarin e Listës Serbe dhe biznesmenin kontrovers serb Millan Radoiçiq dhe 11 persona të tjerë për sulmet terroriste të 24 shtatorit në Banjskë të Kosovës, është konfirmuar për median serbe “Nova.rs”.

Pasi Kosova nuk është anëtare e INTERPOL-it, urdhër-arrestet ndërkombëtare lëshohen përmes UNMIK-ut.

Nenad Rashiq, Ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, ka konfirmuar për Nova.rs se është lëshuar një urdhër arresti.

“Po është e vërtetë. Nga Ministria e Punëve të Brendshme është konfirmuar se për Millan Radoiçiqin është lëshuar urdhër arrest i Interpolit”, ka thënë Rashiq për portalin serb më 7 dhjetor 2023.

Të Tjera

Të Rekomanduara