Policia e Kosovës ka lëshuar kërkesë për bashkëpunim me qytetarët për gjetjen e Enver Sekiraqës.
Sekiraqa, i cili është shpallur në kërkim është dënuar me 25 vjet burgim për veprën penale” shtytje në kryerjen e vrasjes së rendë” të Triumf Rizës.
“Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor ose nga telefonia fikse dhe mobile: 192 ose 038 550 999, të gjitha thirrjet në numrin 080019999 janë anonime, pa pagesë dhe konfidenciale.” – thuhet në njoftim.
Avokati i tij, Besnik Berisha ka deklaruar se Sekiraqa është duke u trajtuar në spital jashtë Kosovës, duke mohuar zërat se ai është arratisur.
Berisha ka thënë të martën se për shkak të sigurisë së Sekiraqës nuk mund ta zbulojë vendndodhjen e tij.
“Enver Sekiraqa është në spital duke u trajtuar me probleme shëndetësore serioze. Të cilat kanë qenë të evidentuara nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe për të cilat është trajtuar dhe ka kërkuar leje – dalje e shoqërim nga Polica”.
“Për shkak të sigurisë së tij personale…nuk mund të zbulojmë këtë. Shteti e dinë sepse nuk ka dalë as tu fluturuar ka kaluar nëpër pikat pika kufitare si qytetar…Nuk është në Kosovë është në spital. Për shkak të sigurisë së tij personale nuk mund të zbuloj vendndodhjen. Kujt i intereson prej shtetit mundet me ditë”, ka thënë Berisha në Tv Dukagjini.