Monday, December 23, 2024

Pse u gjykua libri “Lulet e së Keqes” i Bodlerit?

Shpërndaje

Charles Baudelaire (Sharle Bodler), lindi më 9 prill të vitit 1821 në Paris dhe vdiq më 31 gusht të vitit 1867. Ishte poet, kritik dhe përkthyes i njohur francez.

Marrëdhëniet me të ëmën nuk i kishte fortë të mira dhe kjo shkaktoi te ai krizën ekzistenciale që e shoqëroi për tërë jetën.

Në 1833 njerku e regjistroi në “Kolezh Ruajal”. Sjellja e tij nuk ishte nga më të mirat kështu që njerku i zemëruar e detyroi të shkonte në Indi. Ky udhëtim ndikoi për mirë te Sharli, e njohu me kultura dhe njerëz të ndryshëm. Që këtu lindi dhe dashuria e tij për ekzotizmin, që duket më së miri në kryeveprën e tij “Lulet e së Keqes”. Sidoqoftë 10 muaj më pas u kthye në Paris dhe duke qenë se ishte në moshë madhore mori pjesën që i takonte nga pasuria e të atit.

Në 1842, njohu poetët Gerard de Nerval dhe Gautier; me këtë të fundit u afrua shumë pasi për më tepër shikonte tek ai një udhëheqës artistik dhe moral. Gjatë kësaj kohe njohu Jeanne Duval, me të cilën pati një marrëdhënie shumë pasionante. Ndryshe nga zakonisht, lidhja e tyre vazhdoi për një kohë të gjatë. Charles gjente frymëzim te Jeanne e cila i qëndroi pranë deri në ditën e fundit të jetës së tij.

Ndërkohë jeta që Bodleri bënte në Paris nuk ishte kushedi se çfarë. Kur e ëma zbuloi se ai kishte harxhuar gjysmën e trashëgimisë e hodhi në gjyq. Gjykata i caktoi një administrator të cilit Bodleri duhet t’i kërkonte para për çdo gjë që i nevojitej.

Në 1845 publikoi krijimet e tij të para, ndërsa për të fituar disa para më shumë filloi punë nëpër disa revista si: “L’Art romantique” e “Kuriosite estetik”.

Në 1848 mori pjesë në lëvizjet revolucionare në Paris, ndërsa në 1857, publikoi në shtëpinë botuese Pule-Malassiz kryeveprën e tij “Lulet e së keqes”, që përmban rreth 100 poezi. Libri gjykohet për imoralitet, ndërsa botuesi detyrohet të censurojë disa prej poezive.

Bodleri ra në depresion të thellë. Në 1861 u përpoq të vetëvritej. Në 1864, pasi nuk u pranua nga Akademia Franceze, u largua nga Parisi për të shkuar në Bruksel, por edhe qëndrimi në kryeqytetin belg nuk i ndryshoi mendimet e tij për borgjezinë.

I sëmurë, kërkonte qetësinë te hashashi, opiumi dhe alkooli. Pas një paralize që e bllokoi në shtrat për disa vite ai vdiq në moshën 44-vjeçare. Eshtrat e tij prehen në varrezat Montparnasse, së bashku me ato të mamasë dhe njerkut.

Në 1949 Gjykata Kasacionit e Francës vendosi që vepra dhe jeta e tij të kishin vendin e merituar në piedestalin e kulturës frënge./Hejza

Të Tjera

Të Rekomanduara