Dje, Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, shprehu shqetësimin për sjelljet e fundit të Qeverisë së Kosovës ndaj komunitetit serb në Kosovë.
Në një deklaratë të bërë në platformën ‘X’, ai theksoi se veprimet e autoriteteve kosovare po shtojnë tensionet ndëretnike që nuk janë të nevojshme.
“Veprimet e fundit nga ana e Qeverisë së Kosovës, që prekin negativisht serbët dhe minoritetet e tjera në vend, kanë nxitur një shqetësim të madh nga ana e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këto sjellje po ashpërsojnë pa nevojë tensionet ndëretnike, duke e bërë të vështirë për SHBA-në të avokojë efektivisht për Kosovën në skenën ndërkombëtare,” u shpreh Hovenier në deklaratën e tij.
Ndërkohë, Michael Roth, kryesuesi i Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman, e kritikoi ashpër reagimin e ambasadorit Hovenier, duke e cilësuar atë si “të pabalancuar”.
Ai nëpërmjet një postimi në ‘X’ komentoi, “Ky është një shembull tjetër i deklaratave të pabalancuara nga SHBA (ose BE) në lidhje me Kosovën. Nuk po vërej të njëjtën qartësi në mesazhet për veprimet agresive serbe (si sulmi terrorist në Bajnska, rrëmbimet ose shantazhet) në rajon, i nderuar ambasador i SHBA-së në Kosovë.”
Publikimi ose kopjimi i materialeve nga INTERLAJMI nuk është i autorizuar pa cituar burimin. Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe ndjekjen e normave etike të gazetarisë. /www.interlajmi.com