Sunday, December 22, 2024

Vendimi i BQK-së për dinarin është i panegociueshëm, thotë Kurti

Shpërndaje

Ndonëse Banka Qendrore e Kosovës ka pranuar se po diskutohet mundësia e shtyrjes së vendimit që në Kosovë të përdoret vetëm valuta euro dhe të ndalohet dinari serb për shitblerje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka potencuar se çështja në fjalë është e pa negociueshme.

“Euroja është valutë që na vjen nga BE-ja, ne nuk jemi duke i thënë askujt merre valutën lekë të Shqipërisë apo një valutë të re Dardan të Kosovës, por euron, euro si mjeti i vetëm i pagesës edhe i shitblerjes i përcaktuar në mënyrë të qartë në Kosovë, prandaj kjo nuk është një çështje e negociueshme”, ka theksuar Kurti në një prononcim për media.

Sipas tij BQK si institucion i pavarur nuk ka për synim ndëshkimin e askujt, por vetëm të sjellë ligjshmëri, kushtetutshmëri dhe rregullsi edhe në Veriun e Kosovë edhe gjithandej ku ka serbë në Kosovë.

“Jemi dëshmitarë që me masat që i kemi marr ndaj tyre shumica dërrmuese e tyre kanë llogari bankare në bankat e Kosovës e nëse nuk e kanë edhe hapjen e një xhirollogarie edhe mirëmbajtjen e saj e kanë falas”, është shprehur Kurti.

Ai ka theksuar se rregulloret e BQK-së janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin.

“Vendimet e BQK-së janë vendime të pavarura, sepse BQK-ja është institucione i pavarur, rregullat të cilat ata i sjellin, rregulloret të cilat ata i miratojnë janë krejtësisht në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, dhe unë besoj që duhet ta lëmë të qetë BQK-në dhe guvernatorin, Ahmet Ismaili, që ta bëjë punën e tija ashtu siç e ka fituar besimin në Kuvend”, është shprehur Kurti.

Për çështjen në fjalë të mërkurën është deklaruar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka kërkuar që të gjendet një “zgjidhje praktike” në mënyrë që Kushtetuta e Kosovës, të zbatohet në çdo cep të Republikës.

Kjo zgjidhje sipas saj mund të marrë kohë një muaj.

“Deri në momentin e zbatimit mund të merr përafërsisht një muaj. Do të ketë një dakordim këto dy ditë, do të kemi edhe deklarata publike. Unë jam për atë se zbatimi të jetë i plotë, e jo vetëm në letër por për këtë na duhet edhe përkrahja e aleatëve tanë në mënyrë që të kemi qëndrueshmëri”.

Të Tjera

Të Rekomanduara